Popullsia shqiptare vijon të plaket dhe të tkurret me ritme të shpejta. Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë numri i lindjeve është 4,982, duke shënuar një rënie prej 7,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa vetëm në gjysmën e parë të këtij viti në Shqipëri kanë lindur 9,644 foshnje, 7% më pak se një vit më parë.
Pothuajse të gjitha qarqet në vend kanë ulje të numrit të lindjeve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
I vetmi qark që mban numrin më të lartë të lindjeve, duke patur edhe numrin më të madh të popullsisë, është Tirana, e cila shënoi 1,982 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 74 lindje.
Ndërsa shtesa natyrore e popullsisë rezultoi pozitive, vetëm me 48 lindje më shumë sesa vdekje.
Qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 691 lindje më shumë se vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 226 vdekje më shumë se lindje.
Ulja e numrit të lindjeve po sjell një popullsi më të plakur dhe më pak të rinj për tregun e punës. Për këtë arsye po diskutohet rishikimi i mbështetjes për çiftet e reja dhe bonusi i bebes, për të krijuar më shumë mbështetje ekonomike.