Donald Trump dhe Vladimir Putin do të takohen në Alaskë, javën e ardhshme më 15 gusht. Vendin dhe orën e takimit, të njoftuara nga presidenti amerikan përmes një postimin në rrjetin personal social Truth, e konfirmoi edhe Kremlini.
Fundi i luftës në Ukrainë pritet të jetë tema kryesore e diskutimit mes tyre. Për mënyrën se si mund të arrihet kjo, duket se nuk ka shumë për të diskutuar. Shefi i Shtëpisë së Bardhë e ka një plan konkret, të cilin e paralajmëroi para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë pas nënshkrimit të fundit të një tjetër konflikti të vjetër në territorin e ish-Bashkimit Sovjetik, atë mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.
“Po flasim për një territor për të cilin luftohet prej tre vitesh e gjysmë, ku janë vrarë shumë rusë, shumë ukrainas. Po shohim si të kthejmë disa territore, ca të tjerë t’i shkëmbejmë. Nuk është aspak e lehtë, është shumë e vështirë”, tha Donald Trump, president i SHBA-ve.
Trump i dha edhe një mesazh presidentit ukrainas, i cili nuk pranon lëshime territoriale.
“Ai nuk është i autorizuar për disa gjëra. I kam thënë se duhet të arrijmë shpejt një marrëveshje. Këtë po e bën, por po e bën me vendet europiane, me njerëz të tmerrshëm, liderë të tmerrshëm. Për NATO-n pranuan rritjen nga 2 në 5% të shpenzimeve. 2% nuk e paguanin dhe tani po paguajnë 5%”, tha Trump.
Nuk vonoi edhe përgjigja e Volodymyr Zelensky-t.
“Përgjigja për çështjen territoriale të Ukrainës është në Kushtetutën tonë. Askush nuk devijon prej saj dhe as do të jetë në gjendje. Ukrainasit nuk do ia dhurojnë vendin pushtuesit”, tha ai.
Takimi i Alaskës, të cilën Rusia perandorake ia shiti Shteteve të Bashkuara në 1867-ën, është i pari pas 6 vitesh mes Donald Trump dhe Vladimir Putin si presidentë.