Inflacioni në Shqipëri ka shënuar rritje krahasuar me një vit më parë. INSTAT thotë se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin korrik 2025 është 2,5%, teksa një vit më parë ky ndryshim ishte 2,1%.
Rritja vjetore e çmimeve në muajin korrik është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,08 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,61 pikë përqindje.
Krahasuar me muajin Korrik 2024, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 7,7 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,4 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,2 %.
Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) është matësi zyrtar i inflacionit në Shqipëri, Indeksi mat ndryshimet relative të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të përdorura nga familjet për konsum vetjak dhe llogaritet duke përdorur strukturën e konsumit final të familjeve shqiptare. Burimi kryesor i informacionit për shpenzimet është Anketa e Buxhetit të Familjeve.