Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se do të emërojë Stephen Miran si anëtar të përkohshëm të Bordit të Guvernatorëve të Rezervës Federale, në vendin e lënë bosh nga Adriana Kugler, e cila dha dorëheqjen para përfundimit të mandatit.
Emërimi i Miran pritet të sjellë një zë kritik ndaj kryetarit aktual të Rezervës Federale, Jerome Poëell, në panelin që vendos për politikat monetare në SHBA. Ai duhet të miratohet nga Senati dhe, nëse konfirmohet, do të shërbejë deri në fund të janarit 2026, ndërsa administrata Trump kërkon një zëvendësues të përhershëm.
Kush është Stephen Miran?
Miran është një aleat i afërt i Trump, aktualisht drejton Këshillin e Këshilltarëve Ekonomikë të Shtëpisë së Bardhë dhe ka qenë një nga arkitektët e politikës së tarifave të Trump. Ai ka mohuar se tarifat rrisin inflacionin, një qëndrim që bie ndesh me opinionet e kryetarit të Rezervës Federale dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të bankës qendrore.
Në një intervistë të fundit televizive, Miran tha se shumë zyrtarë të Rezervës “vuajnë nga sindroma e çrregullimit nga tarifat”, për shkak të qëndrimeve të tyre ndaj ndikimit të tarifave në inflacion. Sipas tij, politikat ekonomike të Trump ishin “shumë ç’ndikuese ndaj inflacionit”, ndaj nuk ka nevojë për norma të larta interesi.
Vendim politik me ndikim ekonomik
Me këtë emërim, Trump pritet të forcojë ndikimin e tij në bord, pasi Miran do të ketë të drejtë vote në Komitetin Federal të Tregut të Hapur (FOMC).
Ai pritet të mbështesë thirrjet e Trump për ulje të normave të interesit, duke iu bashkuar anëtarëve të tjerë të emëruar nga presidenti, Christopher Waller dhe Michelle Bowman, të cilët më herët kishin kërkuar ulje të menjëhershme të normave.
Kritika ndaj Powell dhe qëndrimi për të ardhmen e Fed-it
Trump ka qenë hapur kritik ndaj Jerome Powell, duke e akuzuar për vendime të gabuara dhe vonesa në përgjigjen monetare ndaj krizës së COVID-19. Ai ka paralajmëruar se mund të zëvendësojë Poëell-in para përfundimit të mandatit si kryetar, që përfundon në maj 2026.
Para se të bashkohej me administratën Trump, Miran kishte propozuar reforma të thella në strukturën e Fed-it, përfshirë mandate më të shkurtra për zyrtarët, kontroll më të fortë publik mbi bankat rajonale, dhe lejimin më të lehtë të largimit të guvernatorëve.
Reagimi i tregjeve dhe pritshmëritë
Pas njoftimit të Trump, JPMorgan parashikoi një ulje të mundshme të normës bazë me 0.25% në shtator, ndërsa disa ekonomistë kanë nisur të sinjalizojnë se rënia e punësimeve gjatë verës mund të çojë në lehtësim të mëtejshëm monetar.
Rezerva Federale nuk ka komentuar zyrtarisht mbi emërimin.