Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masat e sigurimit për shtatë nga tetë urdhërarrestet në lidhje me çështjen e Call Center-ave.
Togat e zeza kanë bërë verifikimin dhe lanë në arrest me burg katër persona ndërsa tre të tjerë në arrest shtëpie.
Kujtojmë se gjykata kishte vendosur në mungesë arrest në burg për Emiljano Sejdillarin, Tafil Dyrmishin, Sokol Krasniqin, Eltion Logun dhe Rodrigo Gugën. Ndërsa arrest në shtëpi për Lisjan Çulanin, Mateo Llozhin dhe Kejdi Nukën.
Tetë shqiptarët u identifikuan nga një hetim i Prokurorisë së Posaçme dhe autoriteteve gjermane si të përfshirë në mashtrim me pasoja të rënda nëpërmjet call centerave që vepronin në Shqipëri.
Vlera e dëmit të shkaktuar dhe të dokumentuar për këtë fazë të hetimit për periudhën disamujore të call center-it është mbi 363 mijë e 501 euro ndërsa bëhet fjalë për 14 viktima të mashtrimit në Gjermani.
Operacioni Pandora që zbuloi skemat filloi në dhjetor të 2023. Në atë kohë u përgjuan mbi 20 telefonata mashtruese në ditë.
Paralelisht autoritetet gjermane zhvilluan hetime shumë komplekse në mënyrë që të lokalizonin qendrat e telefonatave, të cilat rezultuan të ishin në Shqipëri, Bosnjë, Kosovë, Serbi dhe Liban.