Zbardhen detaje nga komunikimet e anëtarëve të një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se ka trafikuar mbi 6 ton kokainë, me vlerë rreth 411 milionë euro, nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe.
Në kuadër të operacionit antidrogë janë arrestuar Ermir Ndreaj, Artur dhe Klevis Hoxhosman, Plaurent Dervishaj dhe Erion Alibej, ndërsa vijon kërkimi për Ilir Lloshin dhe Devid Patrutin.
Ky detaj është zbuluar përmes bisedave në SkyECC mes biznesmenit Ndreaj dhe Artur Hoxhosmanit, teksa diskutonin fiks 4 ditë pas sekuestrimit të gati 1 ton kokainë në portin e Belgjikës, në prill të vitit 2020, që ishte pjesë e një dërgese në total prej 4 tonësh. Në biseda, Ndreaj pranon se 809 pako nga kokaina që u sekuestrua ishin të tij.
Ermir Ndreaj: A ke dhe nr kondiner?
Artur Hoxhosmani: Po cila nga ato?
Ermir Ndreaj: Se jam 9 kuti
Artur Hoxhosmani: Të ra ndok punë prapë?
Ermir Ndreaj: Dhe mua 809 cop
Artur Hoxhosmani: Me firm
Ndreaj e Hoxhosmani, bashkëpunëtorë me Palurent Dervishajn kishin planifikuar në detaje trafikun e kësaj ngarkese nga Ekuadori në Belgjikë. Droga ishte fshehur në një kamion me paleta druri, por shoferi i kamionit i ‘tradhtoi’. Punonjësit e portit kishin kuptuar se diçka nuk shkonte me të dhe e kishin kaluar kamionin për kontroll, edhe pse të tre kishin persona të infiltruar në port që punonin për llogari të tyre.
“Duke u nisur nga sasia e përmendur prej 809 copësh si dhe e datës së komunikimit (4 ditë pas sekuestrimit) konfirmohet se porositësi i lëndës narkotike prej rreth 809 copësh, në këtë episod është pikërisht bashkëpunëtori tjetër i të hetuarit Plaurent Dervishaj, identifikuar si personi në hetim Ermir Ndreaj”, thuhet në dosjen e SPAK.
Në bisedat me Artur Hoxhosmanin, Plaurent Dervishaj shfaqej i mërzitur për drogën që po iu sekuestrohej
Plaurent Dervishaj: Jan kap 4 ton do jete aty, e futen ne skaner te gjithë anijet, 811 cop, ka shku shoferi me terheq e si ka pelyq sjellja, e ka hudh skain. I kan thon do shkojm ne skaner dhe i kan kontrollu makinen i kan thon ku ke tel tjetër. I ka thon skam tel veç ket, e kan lon shoferin me ik, besoj po e rujn. Tani besoj do e cojn ne kompani kutin e do presin do lajmoj kompania qe ka mall mren shtetin. Se as firmes nuk i kan komuniku gjo. Mos e vrit menjen tha se sjemi zero me tha. Do e rikuperojm shum shpejt tha.
Për këtë dosje, janë në kërkim edhe biznesmeni Elidon Skëndaj, i cili dyshohet se fshihet në Dubai, si edhe për person tjetër i identifikuar si Ilir Lloshi. Për këtë dosje, ky grup do të gjykohet ndarazi nga hetimet për grupin që planifikoi vrasjen e deputetit të zgjedhur të PD, Arjan Ndoja. Kështu, për Dervishajn dhe Alibejn është lëshuar masë e dytë sigurie, ndërsa anëtarët e tjerë të grupit janë ende në fazë hetimi.