Bashkimi Evropian ka publikuar një dokument informues mbi marrëveshjen për tarifat doganore të nënshkruar të dielën në Skoci me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në tekst konfirmohen pikat dhe përqindjet që kishin dalë më herët në Bruksel gjatë mëngjesit të së martës. Megjithatë, siç shkruan Corriere della Sera, vërehen dallime krahasuar me dokumentin e publikuar mbrëmjen e kaluar nga Shtëpia e Bardhë.
Ndër pikat që nuk përputhen mes dy dokumenteve janë tarifat mbi mikroçipat dhe produktet farmaceutike, të cilat, sipas Komisionit Evropian, nuk janë aktualisht të tatueshme. Gjithashtu, në dokumentin e BE-së nuk përmendet asnjë angazhim i Brukselit lidhur me taksën dixhitale.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Tregtinë, i pyetur lidhur me deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, sipas së cilës BE-ja është angazhuar të mos vendosë taksa për kompanitë e mëdha teknologjike në kuadër të marrëveshjes, ai theksoi se për këtë vendos unioni.
“Nuk i ndryshojmë rregullat tona dhe të drejtën tonë për të rregulluar në mënyrë të pavarur hapësirën dixhitale. Deklarata e Shtëpisë së Bardhë pohon se konfirmojmë që nuk do të miratojmë dhe as do të mbajmë tarifa për përdorimin e rrjetit, si dhe do të ruajmë zero tarifa doganore për transmetimin elektronik. Kjo është e saktë, por nuk ndërhyn në hapësirën tonë rregullatore.”
Më tej, Bashkimi Evropian thotë se marrëveshja në fjalë juridikisht nuk është e detyrueshme.
“Marrëveshja politike e 27 korrikut 2025 nuk është juridikisht e detyrueshme. Përveç veprimeve të menjëhershme të dakorduara, BE-ja dhe SHBA-të do të vazhdojnë negociatat, në përputhje me procedurat e tyre të brendshme, për të zbatuar plotësisht këtë marrëveshje politike,” thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.
Sipas dokumentit, marrëveshja i shërben interesave ekonomike thelbësore të BE-së, duke synuar marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme me SHBA-të. Në të njëjtën kohë, ajo respekton plotësisht sovranitetin ligjvënës të BE-së dhe mbron sektorët e ndjeshëm të bujqësisë evropiane, si mishi i viçit dhe shpendët.