Prokuroria e Fierit ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me aferën në bashkinë e këtij qyteti. Katër zyrtarë të bashkisë janë nën hetim, pasi rezulton se kanë kryer një sërë veprimesh të paligjshme me shmangie taksash në vlerën e 40.9 milionë lekëve.
Sipas Prokurorisë, zyrtarët kanë lejuar që të mos arkëtohen të ardhurat për parkimin nëntokësor (që administrohet nga bashkia), duke mos vendosur kasën e fiskalizimit.
Po ashtu, ata kanë favorizuar subjekte tregtare përmes uljes së paligjshme të taksave, në këmbim të përfitimeve personale. Bëhet fjalë për dy drejtoresha në bashki, një drejtor të Kontrollit Tatimor dhe Sekretarin e Përgjithshëm të bashkisë Fier.
Personat e hetuar dhe masat përkatëse të sigurisë:
-A.H., drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës në Bashkinë Fier, akuzohet se në pesë raste ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të lëshuar vërtetime të pavërteta për pagesën e taksave, si dhe ka neglizhuar vendosjen e pajisjeve fiskale në parkimet publike. (Arrest në shtëpi)
-A.C., drejtoreshë e Taksave dhe Tarifave Vendore, ka lëshuar fatura të fryra për subjekte të ndryshme dhe më pas i ka ulur në kundërshtim me vendimet e Këshillit Bashkiak, pa marrë masa për fiskalizimin e parkimeve. (Pezullim nga detyra)
-M.D., Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Fier, dyshohet se ka ndërhyrë për të ulur detyrimet tatimore të një biznesmeni privat. (Pezullim nga detyra dhe ndalim i daljes jashtë shtetit)
-V.Ç., drejtor i Kontrollit Tatimor, ka urdhëruar kontrolle të paligjshme ndaj një subjekti dhe nuk ka ndjekur procedurat për rikontroll apo inspektime të tjera. (Arrest në shtëpi dhe pezullim nga detyra)
Organi i akuzës shprehet se hetimet do të vijojnë me qëllim vendosjen para drejtësisë të çdo punonjësi publik që abuzon me detyrën, duke garantuar integritetin e institucioneve vendore.