Zjarr i rrezikshëm ka përfshirë zonën e Dukatit prej javësh tanimë, në afërsi të Parkut Kombëtar të Llogarasë.
Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, deklaron nga terreni se situata është kritike dhe se ka kërkuar ndërhyrje të vazhdueshme nga ajri për të parandaluar përhapjen e flakëve në zonën pyjore.
“Pas majës së Paliskës, ngjitur ka fshat dhe në afërsi të Parkut të Llogarasë. Jemi me shumë forca të gjithë së bashku, i kemi bërë thirrje edhe Ministrisë së Mbrojtjes, e cila na ka vënë në dispozicion dy helikopterë dhe tashmë ka nisur aksioni për të shmangur sa të mundemi afërsinë e zjarrit me pjesën e pyjeve”, deklaron ai.
Sipas tij, zjarri është ende në monitorim dhe aktualisht në terren ndodhen rreth 60 forca, mes tyre 36 trupa të ushtrisë, që po përpiqen të frenojnë përparimin e flakëve.
“Është e pamundur që të menaxhohet me forca njerëzore për shkak të terrenit, ndaj është bërë ndërhyrja nga ajri”, thekson kryebashkiaku.
Siç tha edhe Prefekti i Vlorës dje, 23 korrik, zjarri në Dukat ka qenë problematik që prej datës 6 korrik. Pavarësisht ndërhyrjeve të herëpashershme, vatra e zjarrit është riaktivizuar. Në ndihmë kanë ardhur edhe forcat zjarrfikëse të flotës europiane.
Ky muaj, ka shënuar një valë të re zjarresh në disa qarqe të vendit, të nxitura nga temperaturat e larta apo edhe pakujdesia e njerëzve në shumë raste. Vatrat aktive janë raportuar kryesisht në qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Shkodrës, Fierit dhe Elbasanit, ku janë përfshirë sipërfaqe të mëdha pyjore, kullota dhe zona të mbrojtura.