Nënshkruhet sot, 22 korrik, marrëveshja për kredinë dhe grantin e financimit nga BERZH të projektit për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të Belshit, në bregun verior të liqenit të Thanës.
Siç deklaroi për mediat, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ky park do të ofrojë energji elektrike për 16 100 abonentë ose rreth 50 mijë qytetarë të Republikës së Shqipërisë.
Këtë projekt e cilësoi shumë të dashur për qeverinë e sidomos për KESH.
“Është ngjizur në periudhën e krizës energjitike, kur përfaqësuesit e BE-së hapën një thirrje të dedikuar për projekte të tillla energjitike”, tha ministrja.
Kjo mbështetje financiare për projektin vjen me 9.58 milion euro (23% e vlerës së investimit) në formë granti e shoqëruar me një hua nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, 30 mln euro.
“Për 6 muaj, kompania fituese e këtij tenderi duhet të dorëzojë projektin e detajuar dhe më pas 12 muaj janë të mjaftueshëm për ndërtimin e kësaj vepre”, nënvizoi ministrja.
Tha po ashtu se të gjitha tokat e pafrytshme në vend duhen vënë në dispozicion të ankandeve publike, por me bashkitë partner.