if (window.location.pathname === "/" || window.location.pathname === "/index.php") { setTimeout(function(){ location.reload(); }, 15000); // 15 sekonda }
Kuvendi i kosoves 1 1024x568

Deputetët nuk arritur as për të 50-ën herë të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, pavarësisht zërave se në fundjavë do të mund të arrihej një marrëveshje për zhbllokim të situatës.

Të pranishëm në seancë kanë qenë 104 deputetë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica i ka bërë thirrje kryesuesit të seancës, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje që të mos lejojë “të keqpërdoret”.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka akuzuar Deharin për “abuzim” me pozitën.

Para nisjes së seancës, avokati Arianit Koci e ka qethur kokën para Kuvendit, duke thënë se ky është akt simbolik, përmes së cilit po dëshmon se “ka ardhur fundi”.

“Kjo nuk është më politikë prandaj unë kërkoj që menjëherë sot të formohet Kuvendi”, ka thënë avokati Koci, duke përsëritur se nga kjo zvarritje po rrezikohet “shtetësia e Kosovës”.

Kuvendi nuk është konstituuar as pas një takimi të zhvilluar të shtunën mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Hollësitë e takimit nuk janë bërë të ditura.

Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku ka deklaruar paraprakisht se partia të cilës i takon ajo kërkon që Limaj të propozohet për kryetar Kuvendi.

Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë përsëritur të hënën se nuk kanë votë për Limajn si kryetar Kuvendi.

Situata është bllokuar pasi PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit është jokushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon që për Albulena Haxhiun – të propozuar për kryeparlamentare – të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.

Haxhiu nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme.

Palët vazhdojnë të mos gjejnë një kompromis ndonëse ec afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstitutim të Kuvendit.

Ndonëse gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese këtë javë.

Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar disa herë para ndërtesës së Kuvendit duke i thirrur deputetët në përgjegjësi.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights