Zbulohet një punishte në të cilën një 30-vjeçar prodhonte silenciator për armë të ndryshme dhe më pas dyshohet se ua shiste personave të ndryshëm për kryerje të krimeve kundër personit dhe pronës.
Policia njofton se në kuadër të operacionit “Punishtja” u arrestua shtetasi H.Nezaj.
Në punishte u sekuestruan arma e zjarrit me silenciator, një armë zjarri pushkë, municion luftarak, doza kokaine dhe sende të tjera të kundraligjshme.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, rreth veprimtarive kriminale të një shtetasi, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Punishtja”, si rezultat i të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi H. N., 30 vjeç, banues në Kombinat.
30-vjeçari u kap në flagrancë duke lëvizur në qendër të Kombinatit me armë zjarri me silenciator, gati për qitje.
Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik dhe të banesës, shërbimet e Policisë gjetën e sekuestruan armën e zjarrit me silenciator, një armë zjarri pushkë, municion luftarak, doza kokaine dhe sende të tjera të kundraligjshme.
Në vijim të veprimeve, në afërsi të banesës së të arrestuarit, u zbulua një punishte që dyshohet se përdorej nga 30-vjeçari për prodhimin e silenciatorëve për armë të ndryshme dhe më pas dyshohet se ua shiste personave të ndryshëm për kryerje të krimeve kundër personit dhe pronës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.