Kryeministri Edi Rama ka shkuar sot, 18 korrik, në Berat, në një takim me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit e start up-eve.
Në fjalën e tij, ai vuri theksin te “ura e komunikimit” me ta për të kuptuar sa më shumë nga brendësia e jetës dhe sfidave të tyre.
“Duhet të flasim për aksesin në tregje e gatishmërinë për eksport dhe duke u përpjekur të kuptojmë se si këtë ndërveprim ta ngremë në komunikim konstant, që mos t’i mbetet rastësisë mundësia për të shprehur shqetësime, ide apo propozime për bashkëpunim”, tha kreu i qeverisë.
Përfaqësuesve të këtij sektori u tha se “qeveria duhet të bëhet partner i tyre”.
“Edhe në sensin e financimit të nismave tuaja, jo vetëm nga buxheti, por krijimin e instrumenteve të tjera në funksion të iniciativave tuaja”, deklaroi kryeministri.
Tha se po forcohet vazhdimisht mbrojtja ndaj sulmeve kibernetike, megjithatë duhet punë, sidomos në sektorin privat.
“Kemi bërë goxha progres në këtë aspekt, kemi sot që flasim shërbimet tona dixhitale, jemi të pavarur. Jam njëkohësisht i vetëdijshëm se kemi boshllëqe sidomos në sektorin privat, ku ka mungesë të madhe informacioni dhe se çfarë dëmesh mund të vijnë nga ekspozimi ndaj sulmeve”, nënvizoi Rama.
“S’keni asnjë varësi nga ne, madje mund të na dëmtoni”– batuta e kryeministrit
“S’keni asnjë varësi nga ne, madje dispononi instrumente që mund të na bëni dëm, në rast se doni të merrni hak. Madje e bëni dëmin që mos të kuptohet që e keni bërë ju!”, iu tha Rama me humor të pranishmëve.
“Të mblidhemi të paktën tre herë në vit për të diskutuar mbi çështjet dhe të rejat”, shtoi numri një i kabinetit, duke lënë të hapur mundësinë për çdo lloj ideje, edhe për produkte që mund të shërbejnë përtej Shqipërisë.
“Jemi në dispozicion plotësisht“, përfundoi ai.