Pas vendimit të sotëm gjyqësor, 17 korrik, ka një reagim nga qelia të ish-Presidentit të vendit Ilir Meta.
Me 9 muaj në qeli tanimë, ai thotë me ironi se nuk zhgënjehet aspak nga “telenovela “Drejtësi me Regji”.
Përmes një postimi në Facebook, shkruan se prokurorët “as kanë patur ndonjë provë, as kanë gjetur ndonjë provë, as kanë shans të shpikin ndonjë provë, pavarësisht nga provokimet e shëmtuara edhe këtu te 313-ta”. Me këto të fundit ai i referohet faktit se është ndaluar të kryejë ushtrime në ambiente të përbashkëta për 2 javë.
Më tej, thekson se “sado t’i zvarrisin hetimet, sado të fshehin prova që rrëzojnë të gjitha mashtrimet e tyre, përballja është e pashmangshme dhe ne mezi presim të nisë gjykimi”.
Meta shprehet i bindur se këtë “betejë” ligjore do ta fitojë.
“Kjo është një përballje që ne do ta fitojmë në emër të të gjithë shqiptarëve që paguajnë sot shumë shtrenjtë për drejtësinë, që nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës dhe as me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Shumë qartë këtë e kanë kuptuar së fundmi banorët e Thethit, por shumë më qartë do ta kuptojnë të gjithë shqiptarët në të ardhmen. Ilir Meta dhe Partia e Lirisë do të jenë gjithmonë në anën e shqiptarëve, në mbrojtje të Kushtetutës dhe sovranitetit, kundër mercenarëve shqipfolës që kanë vetëm një projekt, shpopullimin e Shqipërisë“, shkruan ai.