Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka marrë pjesë këtë të mërkurë, më 16 korrik, në një Konferencë me temë “Paradigma e Ballkanit Perëndimor dhe integrimi në BE”, të organizuar në hotel “Rogner” nga Fondacioni i Partive Popullore Europiane – Martens Centre dhe Fondacioni për Liri dhe Demokraci (FLD) i Partisë Demokratike. Nga kjo konferencë, Berisha ka deklaruar se nëse i jepet përparësi stabilokracisë në krahasim me standardet, kjo i hap rrugën autokracisë. Sipas tij ky do ishte një gabim i tmerrshëm dhe historik.
“Unë e konsideroj gjeopolitikën pothuajse një forcë natyrore, e cila gjithmonë duhet të merret në konsideratë seriozisht. Por duke i dhënë përparësi në krahasim me integrimin përmes standardeve, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe qeverisjes së mirë, që janë themelet e procesit të integrimit, në mendimin tim është një gabim i tmerrshëm dhe historik.
Nga njëra anë kjo do të thotë tradhti e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të idealeve dhe aspiratave të një vendi kandidat sepse fakti që ata e shohin të ardhmen më të mirë në BE, mendojnë dhe kanë të drejtë të mendojnë se do jenë më të lirë, më të begatë në ekonominë e tregut dhe qytetarë më të denjë. Por në rast se ju i jepni përparësi stabilokracisë në krahasim me standardet, apo aderimit për qëllime stabiliteti, kjo do të thotë që i jep rrugën dhe je në aleancë me autokracinë. Unë mendoj se asnjë vend i lirë i BE do ta donte këtë rezultat.”- tha Berisha.
Ai shtoi se kushdo që ka ndonjë dyshim, le të vijë në Shqipëri dhe ta studiojë kazusin.
“Shqipëria është një kazus tipik. I ka dhënë prioritet stabilokracisë krahasuar me standardet dhe kjo u transformua në një shtet autokratik. Por edhe për BE-në në vetvete nuk është vetëm një problem i rëndë moral me vendet kandidate, por gjithashtu do të thotë të vendosësh një virus në themelet e veta pa ditur se cilat do jenë pasojat për të ardhmen.”– shtoi Berisha.
Në këtë konferencë janë të pranishëm dhe Patrick Voller, Drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë në PPE, si dhe Tomi Huhtanen, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës ‘Martens”
