Pas disa seancash të dështuara, Skerdi Tasi, i penduari i tretë në dosjen “Plumbi i Artë”, jep më në fund shpjegime para gjykatës.
Tasi u pyet gjatë seancës lidhur me atentatin e vitit 2017 ndaj tregtarit të naftës Aredin Behari. Sipas dëshmisë së Tasit, ekzekutori i atentatit do të ishte Henrik Hoxhaj.
Po ashtu foli dhe për atentatin që do kryente vetë ndaj Agim Boriçit në Fier. Ai thotë se ka qenë pikërisht shoku që e ka njohur me Henrik Hoxhajn, që e ka kontaktuar për të vrarë Boriçin. Ky mik ishte Viron Tavanxhiu.
Dëshmia e Tasit për njohjen me Henrik Hoxhajn dhe atentatin ndaj Agim Boriçit:
Shtetasin Henrik Hoxhaj e kam njohur nga një shok i përbashkët. Për herë të parë jemi takuar në 2017. Shoku Viron Tavanxhi më takoi me Henrikun për të bërë ekzekutimin e një personi në Fier. Henriku kishte të gjitha të dhënat e atij personi. Ai rrinte afër rrethrrotullimit të parkut në Fier. Për ngjarjen Henriku kishte një makinë “Alfa Romeo” të blerë në Fier. Henriku kishte dhe një armë pistoletë automatike. Ditën e ekzekutimit, Henriku më thirri dhe më tha se porositësi i kishte thënë “shumë po e zgjasni atë punë”. Dolëm dhe e gjetëm atë njeriun në një lokal.
Unë mora armën dhe shkova atje. Ai personi e kuptoi që isha për të. Ai u çua në këmbë, bërtiti me të madhe dhe u shtri poshtë. Unë mendova se e qëllova. Pastaj ika nëpër rrugicat e qytetit. Pistoletën e kam hedhur në Gjanicë. Porosia e Viron Tavanxhi ishte për ekzekutimin e Gim Boriçit. Unë e njihja, kisha dëgjuar për të në Fier. Unë njihesha prej vitesh me Vironin. Në 2017 ai më kontaktoi për të vrarë Agim Boriçin. U realizuan veprimet, por në vitin 2018.
Dëshmia e Tasit për atentatin ndaj Aredin Beharit:
Ndërsa në 2017, unë takohesha përditë me Henrikun. Gjatë kësaj kohe ai më tha se kishte marrë përsipër edhe një punë tjetër, ekzekutimin e Aredin Beharit. Henriku kishte foto të tij. Ai rrinte tek një lokal përballë shtëpisë, si edhe kishte një dyqan ku shiste vajra makine.
Viron Tavanxhi më premtoi një hyrje në Fier dhe ca lekë. Henriku do më ndihmonte mua për ta kryer këtë punë. Nga Henriku mësova se kishte marrë porosi edhe nga një tjetër për këtë punë, nga Renato Çami. Këtë ma konfirmoi Henriku. Ai fliste me të me një Blackberry. Henriku mbante kontakte edhe me nipin e Renatos. Unë prezent në takimet e Henrikut me Renaton nuk kam qenë.
Për tentativën ndaj Aredin Beharit, lokali ndodhet afër rrethrrotullimit të parkut. Një lokal i vogël në anë të rrugës. Unë qëllova nga jashtë lokalit. E pamë që objektivi ndodhej aty. Ishte me 3-4 vetë të tjerë. Unë kur qëllova isha 1 metër larg derës. Unë kam pasur veshur një bluzë me kapuç dhe pantallona xhins. Besoj se qëllova 5-6 herë. Një breshëri qëllova. Ai u shtri nën tavolinë dhe unë mendova se e godita. Pas 100 m më priste Riku (Henriku). I thashë që e godita. Shkuam tek lokali i Rikut. Pastaj kaluam nga Gjanica, hodha pistoletën në lumë.
Pas disa ditësh takova Henrikun. Aty debatuam. Më tha, pse e more përsipër kur nuk e bëje dot. Shenjestra kishte shkuar në polici dhe kishte thënë disa emra të dyshuar. Një prej tyre ishte porositësi i vërtetë. Riku më tha, mirë që na dha punë, që nuk e bëmë dot, por tani t’i hapim edhe probleme me policinë. Hënriku më tha se kishte dhënë shpjegime në polici. Henriku më konfirmoi se emri i porositësit ishte në dosjen e policisë. Nuk mora asnjë lek për këtë punë, pasi nuk e realizuam dot.
Kujtojmë se në seancën e datës 10 korrik, dështoi për të katërtën herë radhazi marrja e dëshmisë së të penduarit Skerdi Tasi nga Gjykata e Posaçme, për shkak të debateve të forta në seancë mes prokurorëve dhe avokatëve. Shkak i këtyre debateve u bë fakti që gjykata refuzoi kërkesën e avokatëve mbrojtës për të pasur në dispozicion të plota disa proceaverbale deklarimesh të të penduarit Erion Alibej, të vitit 2022.
Pas këtij momenti, avokati i Henrik Hoxhajt dhe avokatët e Altin Ndocit kërkuan përjashtimin e të tre anëtarëve të trupit gjykues me pretendimin se ishin të njëanshëm në gjykim.
Debati në sallë precipitoi deri në fyerje nga ana e prokurorit Behar Dibra, ndërsa avokati Gentian Rumano po përsëriste kërkesën për përjashtim. Këto bënë që i penduari Tasi të mos mundte ta jepte dëshminë para trupës gjyqësore për të disatën herë.