Mëngjesin e kësaj të marte më 15 korrik, ka nisur puna për shembjen e objektit të fundit pa leje në Theth. Objekti që shikoni në videon më lart është pikërisht dhe objekti i fundit që do shembet me lëndë plasëse, duke i dhënë fund kështu aksionit në parkun e Thethit.
Më herët sot, një grup qytetarësh të Mirditës janë nisur drejt Thethit, në shenjë solidariteti me banorët e zonës së Dukagjinit për të protestuar në ditën e shembjes së objektit të fundit.
Nën moton “Mirdita solidarizohet me Dukagjinin”, ata bënë thirrje për ndërgjegjësim duke e cilësuar shembjen e subjekteve në Theth një “akt agresioni të pabesë”.
Kujtojmë se pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama, nisi aksioni rreth një javë i IKMT-së, duke çuar në shembjen e rreth 70 ndërtimeve të paligjshme në zonën e mbrojtur të Thethit. Pas përfundimit të ndërhyrjeve të sotme, strukturat shtetërore pritet të tërhiqen nga territori i Parkut Kombëtar.