Bashkia Sarandë është e radhës, në vazhdën e dorëheqjeve “zinxhir” që pas kritikave e ultimatumit të kryeministrit Edi Rama. Të gjithë drejtorët e kësaj bashkie kanë dorëzuar dorëheqjen.
Dorëheqjet në këtë bashki vijnë një ditë pas atyre në bashkitë Elbasan, Korçë, Kukës, Shkodër e Lushnje.
Në Shkodër, vetëm disa orë pasi drejtorët e Bashkisë dhanë dorëheqjen, kryebashkiaku socialist, Benet Beci, bëri thirrje për të aplikuar në pozicionet e lira të punës.
Në Lushnje, duke marrë për bazë ultimatumin e kreut të qeverisë për reformimin dhe rritjen e performancës së pushteti vendor në vend, ministrja Belinda Balluku u kërkoi dorëheqjen 13 drejtorëve të kësaj bashkie. Balluku zhvilloi mbledhje dhe me 15 kryetarët e njësive administrative. Edhe këtyre të fundit, u kërkoi dorëheqjen e menjëhershme.
Në Elbasan, dhanë dorëheqjen disa drejtorë e administratorë. Njëjtë edhe në bashkinë e Kukësit dhe të Korçës.
Kujtojmë se kreu i qeverisë ka urdhëruar “pastrim” të stafit të administratës dhe ristrukturim duke u hapur rrugë emërimeve të reja.
Në mbledhjen e djeshme, 14 korrik, me deputetë e drejtorë të bashkisë Tiranë, Rama vuri theksin te një sërë reformash që do mundësojnë shërbime më efikase ndaj qytetarëve.