Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për gazetarët është shprehur se raporti i Komisionit Evropian për gjendjen e shtetit ligjor në Shqipëri ka groposur shtetin ligjor në vend.
“Kam këtu një dokument-raport të Komisionit Evropian për gjendjen e shtetit ligjor në Shqipëri. Ky raport me një objektivitet të plotë zbërthen korporatat e reja të krijuara në Shqipëri, pra sot po të lexosh me vëmendje këtë raport, arrin në përfundimin se shteti ligjor është i groposur në këtë vend, pasi krahas korporatës energjetike, korporatës së investimeve, është krijuar korporata e prokurorëve me në krye Këshillin e Lartë të Prokurorisë, korporata e gjyqtarëve me në krye të Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe korporata e Artur Metanit, me në krye Artur Metanin. Pra, me një objektivitet të madh, në këtë raport analizohet gjendja dramatike e shtetit ligjor”, theksoi Berisha.
Berisha ndër të tjera theksoi se koordinimi inter-institucional i këshillave, pra KLP, KLGJ dhe institucioneve të tjera të drejtësisë nuk është përmirësuar
“Meqenëse, mashtrimi është platformë kryesore, unë më duhet t’u paraqes shqiptarëve disa nga konstatimet më thelbësore të këtij raporti, që i përkushtohet funksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri dhe konkretisht sistemit të drejtësisë. Koordinimi inter-institucional i këshillave, pra KLP, KLGJ dhe institucioneve të tjera të drejtësisë nuk është përmirësuar. Është pra përtokë sepse nuk kanë asnjë vullnet të koordinojnë, por vetëm të qeverisin si korporata të veçanta. Dhe kjo është një gjëmë për shtetin ligjor”, tha Berisha.