Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar as në përpjekjen e 45-të, meqë partitë politike vazhdojnë të ngulojnë se kanë të drejtë në qëndrimet e veta.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhen sërish sot në orën 11:00 për të vijuar përpjekjet për konstituimin e legjislaturës së 9-të, por pa sukses. Në seancën e 11 korrikut kanë marrë pjesë 93 deputetë.
Pavarësisht aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, që supozohej të sillte qartësi mbi mënyrën e zgjedhjes së kryeparlamentarit, ngërçi politik vazhdon. Palët e interpretojnë në mënyra të ndryshme vendimin e Kushtetueses, duke e thelluar më tej krizën institucionale që zgjat prej muajsh.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila propozoi Albulena Haxhiun për postin e kryeparlamentares, insiston se votimi i fshehtë nuk është antikushtetues. Haxhiu nuk arriti të sigurojë numrin e nevojshëm të votave në votimin e hapur, dhe partia e saj shpreson se me votim të fshehtë mund të arrijë një rezultat tjetër.