Japin dorëheqjen dhe drejtorët e Bashkisë së Durrësit. Drejtuesit e institucioneve në varësi të bashkisë Durrës kanë nisur procesin e dorëheqjeve sot më 10 korrik, pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama dy ditë më parë, në takimin që pati me ta.
Pas dorëzimit të këtyre dorëheqjeve, vlerësimi i punës së drejtorëve do të bëhet nga një komision i veçantë, i cili deri në fund të korrikut do të vendosë nëse ata do të vazhdojnë apo jo në pozicionet që mbajnë.
Në disa struktura ku rezultatet kanë qenë pozitive, nuk është kërkuar largimi i drejtuesve. Ndryshe nga Vlora, ku u bënë zëvendësime të shumta, në Durrës pritet vetëm një rifreskim i kufizuar. Punën të gjithë drejtuesit, edhe ata të dorëhequrit do ta vazhdojnë deri në mbyllje të procesit. Në fund të muajit korrik mbetet për t’u parë se sa prej tyre do të largohen.
Ky hap shihet si përpjekje për të sjellë energji të reja në Partinë Socialiste para zgjedhjeve dhe për të nxjerrë në pah emra të rinj. Ende nuk dihet saktësisht cilët do të jenë drejtuesit që do të largohen nga detyra.
Pak ditë më parë, kryeministri Rama shkaktoi një valë shkarkimesh të të gjithë drejtorëve në Bashkinë e Vlorës pas ultimatumit për lirimin e hapësirave publike. Ky veprim erdhi si rezultat i mungesës së respektimit të kërkesave për pastrimin dhe organizimin e zonave publike në qytet. Kryeministri ka theksuar se ky proces do të vijojë edhe në bashkitë e tjera, duke kërkuar përgjegjësi dhe rezultate konkrete nga drejtuesit lokalë.
Pas Vlorës, javën e fundit Rama ka zhvilluar disa takime dhe me drejtuesit e bashkive në Fier dhe Durrës, ku ka përsëritur kritikat e tij për keqmenaxhim të këtyre qyteteve dhe ka kërkuar gjithashtu largimin e drejtuesve aktualë nga detyra.
Takimi në Durrës u mbajt më 8 korrik, ku Rama u takua me kryebashkiaken, Emiriana Sako, dhe me zyrtarët e tjerë të kësaj bashkie. Po ashtu edhe në bashkinë e Fierit, ai ishte të martën. Takimet pritet të vijojnë dhe në qytete të tjera.