Lidhur me situatën e ndërtimeve pa leje në zonën e Thethit, ditën e sotme, 10 korrik, janë shkarkuar nga detyra Drejtori i Policisë Shkodër, dhe shefi i Komisariatit për situatën në Theth.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në një deklaratë për mediat ka njoftuar shkarkimin e drejtuesve në Shkodër, teksa një mesazh pati edhe për Drejtorët Vendorë të Policisë në qarqe.
Një vendim i tillë vjen pas ndërtimeve pa leje në Theth, ku po hiqen kabinat e vendosura për pritjen e turistëve.
Për tre ditë IKMT-ja ka vijuar me aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje në Theth, ku ditën e djeshme, 9 korrik, ndryshe nga dy ditët e para, ata janë përplasur me banorët dhe pronarët e bujtinave, objektet e të cilave janë kategorizuar si të paligjshme.
Banorët kërkojnë t’u jepet kohë për ekzekutimin e vendimeve të prishjes së objekteve, konkretisht pas përfundimit të sezonit veror.
