Irani ka hedhur poshtë deklaratat e zyrtarëve amerikanë se po kërkon një takim me Shtetet e Bashkuara.
“Nga ana jonë nuk është bërë asnjë kërkesë për një takim me palën amerikane,” deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei. Reagimi i tij vjen pasi Donald Trump deklaroi se “iranianët kanë kërkuar një takim”, ndërsa i dërguari amerikan, Steve Witkoff, tha se një takim mund të ndodhte “javën e ardhshme”. Lajmi u raportua nga agjencia iraniane Mehr.
Marrëdhëniet mes Teheranit dhe Washingtonit kanë qenë të tensionuara prej vitesh, kryesisht për shkak të programit bërthamor iranian.
Në prill, pas një periudhe të gjatë ngecjeje, nisën sërish bisedimet për dosjen bërthamore, por këto negociata u ndërprenë menjëherë pas një sulmi të Izraelit në territor iranian, që u pasua nga sulme ajrore të SHBA-ce mbi objektiva të dyshuara bërthamore në Iran.
Irani e ka konsideruar këtë një akt agresioni të koordinuar dhe ka refuzuar të vijojë çdo dialog me SHBA-në në rrethana të tilla. Tensionet mes dy vendeve janë shtuar ndjeshëm që prej vitit 2018, kur SHBA u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe rivendosi sanksione të ashpra ndaj Teheranit.
Në këtë klimë pasigurie dhe mungese besimi, deklaratat kontradiktore për mundësinë e një takimi mes dy vendeve vetëm sa shtojnë konfuzionin, ndërsa situata mbetet e brishtë si politikisht ashtu edhe ushtarakisht.
