Europa po përgatitet për valë të forta të të nxehtit këtë javë, me temperatura që pritet të kalojnë 40°C në disa pjesë të Italisë, Spanjës dhe Greqisë.
Verat përvëluese po bëhen gjithnjë e më të zakonshme për shkak të ndryshimeve klimatike dhe ato mund të jenë të rrezikshme. Vetëm në vitin 2022, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se rreth 62,000 persona humbën jetën në Europë si pasojë e temperaturave ekstreme.
Edhe pse vala e të nxehtit mund të prekë këdo, rreziku është më i lartë për punëtorët në ambiente të jashtme, të moshuarit, foshnjat, personat që marrin disa lloje ilaçesh dhe ata që vuajnë nga sëmundje kronike.
Shumica e pasojave shëndetësore janë të parashikueshme dhe të parandalueshme, por është thelbësore të njohim rreziqet për të mbrojtur veten.
Ja si vala e të nxehtit ndikon në shëndetin tuaj.
1. Lodhja nga nxehtësia dhe goditja termike
Lodhja nga nxehtësia ndodh kur trupi mbinxehet si pasojë e humbjes së tepërt të ujit dhe kripërave, zakonisht përmes djersitjes. Pushimi në ambiente të freskëta dhe marrja e lëngjeve ndihmon në shumicën e rasteve.
Por nëse gjendja nuk përmirësohet brenda 30 minutash, mund të kalojë në goditje termike një emergjencë mjekësore. Simptomat përfshijnë rrahje të shpejta të zemrës, marrje fryme të shkurtër, konfuzion, konvulsione dhe humbje ndjenjash.
2. Përkeqësimi i sëmundjeve ekzistuese
Temperaturat e larta ditën dhe netët që nuk freskohen mjaftueshëm e vështirësojnë rregullimin e temperaturës së brendshme të trupit. Kjo rrit ngarkesën mbi zemrën dhe veshkat.
Për pasojë, përkeqësohen sëmundje si diabeti, astma dhe sëmundjet kardiovaskulare. OBSH e quan stresin nga nxehtësia shkakun kryesor të vdekjeve të lidhura me motin, ndërsa plakja e popullsisë në Europë pritet të shtojë rrezikun edhe më shumë në vitet e ardhshme.
3. Cilësia e keqe e ajrit
Valët e të nxehtit përkeqësojnë cilësinë e ajrit, pasi nxisin zjarre masive dhe mbajnë ajrin e ndotur të bllokuar mbi qytete, një “kombinim vdekjeprurës”, sipas shkencëtarëve europianë.
Ndotja e ajrit përkeqëson problemet pulmonare si astma dhe rrit rrezikun për infarkt dhe goditje në tru, për shkak të trashjes së gjakut.
4. Shëndeti mendor nën presion
Temperaturat e larta mund të shkaktojnë stres, irritim, ankth dhe probleme në përqendrim, sidomos tek ata që kanë sfida të mëparshme të shëndetit mendor.
Këto pasoja vijnë nga një kombinim i gjumit të ndërprerë, reagimeve fizike ndaj vapës dhe sikletit të vazhdueshëm, të cilat studiuesit i quajnë një “tokë pjellore për shqetësime psikologjike”.
5. Aksidente dhe mbingarkesë në sistemin shëndetësor
Valët e të nxehtit mund të shkaktojnë ndërprerje të energjisë elektrike dhe kaos në transport, duke kompromentuar shërbimet mjekësore, pikërisht kur ato nevojiten më shumë.
Sipas Autoritetit Suedez të Mjedisit të Punës, stresi nga nxehtësia ndikon në përqendrim dhe vendimmarrje, duke rritur rrezikun për aksidente në punë apo në trafik, sidomos për ata që punojnë jashtë.
Kujdesi dhe ndërgjegjësimi janë kyç për të përballuar sigurt verën që na pret.