Ish-truproja e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Paul Deda, i njohur edhe me emrin Agustin, është ekstraduar nga Franca.
Deda u soll në Shqipëri pasi rezulton i dënuar nga Gjykata e Posaçme me 8 vite burg. Togat e zeza e dënuan duke e gjetur fajtor për trafikimin e 1 ton kanabis të kultivuar në Shqipëri drejt Italisë.
Lënda narkotike u sekuestrua në Bari, ku gjithashtu u arrestuan 2 pjesëtarë të kësaj organizate kriminale. Deda u hetua, gjykua dhe u dënua më pas në mungesë.
Policia njofton që, krahas Dedës, ka ekstraduar nga Greqia edhe një tjetër shqiptar.
Ai është Viktor Daci, i cili rezulton me masë arresti në burg nga Gjykata e Matit në vitin 2015, për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.