Pas zgjatjes së hetimeve për dosjen “Buka sh.a” ku po hetohet Arben Ahmetaj, Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme prova të reja.
Përgjatë tre muajve të fundit, prokurori Elvin Gokaj ka plotësuar detyrat hetimore që gjyqtari i posaçëm i la më herët.
Në këto kushte, avokati mbrojtës i ish-numrit dy të qeverisë kërkoi kohë për t’u njohur me provat shtesë që SPAK dorëzoi. Pikërisht kjo arsye shërbeu si shkak për shtyrjen e seancës paraprake për më datë 17 korrik.
Arben Ahmetaj akuzohet në këtë dosje për shpërdorim detyre.
Sipas organit të akuzës, kur shërbente si ministër Financash, Ahmetaj lejoi privatizimin e trojeve të një furre buke, ku tashmë është ndërtuar një kompleks pallatesh.
Ahmetaj është duke u hetuar edhe për tre vepra penale të tjera penale, si “pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv”, në lidhje me dosjen e inceneratorëve.
Prej vitit 2023, Ahmetaj është në arrati pasi nuk ndodhet në Shqipëri. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij.