Procesi i rinumërimit të votave për Qarkun e Fierit pritet të përfundojë brenda pak orësh. Pjesa më e madhe e kutive, 508 të tilla, janë hapur dhe kanë mbetur vetëm 78 për t’u rinumëruar.
Nuk ka pritshmëri për lëvizje mandatesh mes partive apo edhe sa i përket mandateve të kandidatëve.
Ndërsa për kandidatët, Ceno Klosi i Partisë Socialiste rezulton të kishte 889 vota të pamerituara në emrin e tij. Më i dëmtuari në krahun rozë ka qenë Klevis Jahaj që i janë hequr 497 vota më 11 maj.
Në kampin opozitar, Silva Hasaj është kandidatja me më shumë vota të pamerituara, 689 vota të tilla. Ajo ndiqet nga Gentian Çela që ka pasur 208 vota të pamerituara. Më i dëmtuari në këtë rast ka qenë Ledion Çala me heqjen e 132 votave të merituara më 11 maj.
Anëtari i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, Ledio Braho, tha një ditë më parë (1 korrik) për Klan News se, ndryshe nga rinumërimi në Tiranë, në Fier rezulton se “nuk jemi në kushtet e gabimit njerëzor, por duket që ka veprimtari të qëllimshme nga grupet e numërimit”.
Megjithatë pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të marrë një vendim për këtë çështje pas përfundimit të procesit të rinumërimit.