Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi sot se vendi do të vazhdojë të ndjekë me vendosmëri vlerat evropiane, jo për shkak të presioneve të jashtme, por sepse kjo është një zgjedhje e vetëdijshme dhe besim i palëkundur i qytetarëve dhe udhëheqjes.
Ai e bëri deklaratën gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me komisioneren Marta Kos pas samitit të Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian.
“Ne do të vazhdojmë të ndjekim vlerat evropiane, jo sepse dikush na urdhëron, por sepse kjo është zgjedhja jonë dhe ne besojmë në to. Kjo është rruga jonë dhe vendosmëria jonë,” theksoi Mickoski.
Ai deklaroi se ditën e sotme, u diskutua për Planin e Rritjes të Bashkimit Europian, që sipas kreut të qeverisë së Maqedonisë së Veriut paraqet një “mundësi historike” për të gjitha vendet e rajonit.
“Është një mekanizëm që na siguron jo vetëm akses në investime dhe fonde, por edhe një kuadër motivues për promovimin e sundimit të ligjit, efikasitetit të institucioneve dhe konkurrencës ekonomike”, tha Mickoski sipas të cilit Maqedonia e Veriut do ta përdorë këtë mjet për të transformuar vendin.
Po ashtu, kreu i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, tha se i kundërshton “presionet dhe shantazhet” që nuk janë pjesë e vlerave europiane.
“Nuk pranojmë imponime nën maskën e procesit evropian”, shtoi ai.
Duke iu drejtuar komisioneres Kos, ai tha se drejtimi i qeverisë së Maqedonisë së Veritu është i qartë.
“Reformat tona nuk janë zbukurim. Janë një domosdoshmëri. Dhe ne nuk do të presim që dikush të na shtyjë përpara. Do të ecim vetë, me vullnetin tonë, me një plan konkret dhe një vizion të qartë. Ne japim rezultate, jo sepse dikush na i kërkon, por sepse qytetarët tanë i meritojnë”, tha Mickoski.
Kujtojmë se gjatë samiti, eurokomisionerja Kos tha se mes vendeve anëtare të BE-së ka konsensus për zgjerimin në të ardhmen dhe ky çast duhet shfrytëzuar pasi “dritarja e kësaj mundësie nuk do të qëndrojë aty përgjithmonë”