Në Tiranë zhvilloi punimet Konferenca “Sfidat e sigurisë kibernetike në Shqipëri”.
Zv/kryeministrja, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke marrë fjalën në këtë konferencë, tha se, “forcimi i sigurisë kibernetike, veçanërisht në këtë periudhë, kur lufta teknologjike po sofistikohet e po bëhet përherë e më e ashpër, kthehet çdo ditë në një sfidë, e cila kërkon gjithmonë vëmendje, angazhim e bashkëpunim”.
“Kemi zgjedhur të kemi në krah partnerët e duhur në këtë betejë, për t’i bërë ballë sulmeve dashakeqëse”, tha Balluku, teksa vuri në dukje se, “digjitalizimi dhe mbrojtja e sistemeve tona është gjithmonë në fokus të Qeverisë Shqiptare”.
Balluku solli në vëmendje, punën e madhe që bënë institucionet në këto 6 muaj, pas përballjes me sulmin kibernetik, që kontribuoi, jo vetëm në digjitalizimin e shërbimeve publike, por edhe në mbrojtjen e këtij sektori.
“Siguria kibernetike është një element thelbësor për mirë funksionimin e qeverisë, dhe në këtë kontekst, kjo konferencë zhvillohet në një moment delikat, kur vendi ynë është nën një sulm të organizuar nga një shtet që ka të gjitha kapacitet për të goditur me intensitet të lartë. Ky sulm, që vijoi prej disa muajsh, ka pasur synim të shkatërrojë dhe testojë sistemet tona digjitale, por falë reagimit të duhur dhe mbështetje së partnerëve tanë ky sul nuk ia arriti qëllimit”, tha Balluku.
Situata e krijuar, vijoi ajo, “e bëri qeverinë të forcojë masat në të gjitha drejtimet e sigurisë kibernetike”.
“Sulmet kibernetike ndaj shërbimeve online dhe strukturave kritike në Shqipëri përbëjnë një kërcënim real. Qeveria shqiptare e ka kthyer sigurinë kibernetike në fokus kryesor duke marrë në konsideratë 4 shtylla kryesore. Kemi ndërtuar një plan strategjik me masa konkrete, duke përfshirë një buxhet të dedikuar në teknologji të avancuara dhe burime njerëzore për zhvillimin e këtij sektori që i përgjigjet zhvillimeve të kohë. Jemi në gatishmëri për t’u përballuar me sfidat e reja. Jemi fokusuar në alokimin e buxheteve të konsiderueshme për ngritjen e sistemeve ndaj incidenteve kibernetike, paralelisht dhe për ngritjen e burimeve njerëzore”, deklaroi Balluku.
Balluku tha se, mirëfunksionimi sigurisë kibernetike është i lidhur me funksionimin e shërbimeve publike online, duke mbajtur në fokus kërcënimet reale dhe planin e menaxhimit të rrezikut.
“Qeveria do të fokusohet, jo vetëm në garantimin e shërbime të sigurta publike, por edhe private online për qytetarët. Ofrimi i shërbimeve online tashmë është një sukses i padiskutueshëm i qeverisë tonë, duke u bërë model edhe për vendet e tjera”, tha ajo, teksa vuri në dukje se, kanë nisur takimet konsultative me bizneset për mbrojtjen kibernetike.
“Element i rëndësishëm është edhe ndërgjegjësimi i administratës, qytetarëve për sulmet kibernetike, pasi ajo është një fushë e gjerë për informim dhe marrjen e masave në mbrojtje të sulmit kibernetik. Shkëmbimi i informacionit në të gjitha nivelet është kyç në rastin e sigurisë kibernetike. Konsumatorët, bizneset, qeveria dhe operatorët e infrastrukturës të TIK-ut janë pronarët e rinj të hapësirës kibernetike”, tha Balluku.
Balluku u ndal edhe në masat që janë marrë për përmirësimin e kuadrit ligjor që sipas saj, po përshtatet sipas standardeve të BE-së.
Ajo tha se, një mjedis i sigurt kibernetik, nuk funksionon pa mekanizmat përkatës. Në këtë kontekst, theksoi ajo, “bashkëpunimi me partnerët tanë strategjik është kryesor, pasi kibernetika nuk ka kufi, ndaj bashkërendimi dhe bashkëpunimi me aleatët tanë është një linjë e fortë në këtë drejtim”.

