Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shprehur i hapur për takime të tjera me liderët e partive politike për zhbllokimin e krizës në Kuvend. Ai tha se është i gatshëm për bashkëpunim në mirëbesim dhe konsensus e kompromis, megjithatë vazhdoi të insistojë për nevojën e votimit të fshehtë të kryekuvendarit.
Ai përsëriti dy propozimet e bëra në takimin e 28 qershorit me liderët e partive parlamentare. E para, për arritjen e një marrëveshjeje politike për votimin në pako të kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, si dhe rrëzimin me votë të komisionit për votim të fshehtë të kryeparlamentarit.
Kosova edhe pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit nuk ka formuar institucionet e reja. Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës assesi nuk po merren vesh për zgjedhjen e trupave të legjislativit që do t’i hapte rrugë pastaj formimit të qeverisë.
Përkundër kësaj, Kurti ritheksoi se PDK së bashku me LDK-në në Kuvend nuk bëjnë sa LVV-ja. Sipas tij, ky është fakt i jetës dhe demokratik, me të cilin të dy partitë duhet të pajtohen.
Këto komente Kurti i bëri gjatë vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e një çerdheje në fshatin Bardhosh të Prishtinës.
I pyetur nga gazetarët, Kurti kërkoi dorëzimin e kryeterroristit serb, Milan Radojçiq, dhe 44 paramilitarëve të tjerë të cilët morën pjesë në sulmin terrorist të shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Kosovës.
Sipas tij, personat që morën pjesë në këtë sulm po qëndrojnë afër presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Kjo, tha Kurti, dëshmon se grupi terrorist është i dirigjuar dhe i financuar nga Beogradi zyrtar.
“Ne kërkojmë dorëzimin e kryekriminelit dhe kryeterroristit Radojçiq me 44 paramilitarët e tjerë që morën pjesë në sulmin terrorist dhe kriminal të shtatorit të vitit 2023. Tash, të njëjtit janë edhe më afër se mbrojtja e afërt e presidentit të Serbisë. Kjo tregon se kemi pasur të drejtë kur kemi thënë se ky grup kriminal dhe terrorist është i dirigjuar dhe financuar nga Beogradi, dhe nuk është një grup huliganësh. Janë njerëz që janë ushtruar në Serbi, i marrin urdhërat prej andej dhe kanë bërë agresion në Kosovë. Ata duhet t’i dorëzohen Kosovës. Kjo flet se kemi pasur të drejtë dhe tregon për regjimin e Beogradit, i cili në njërën anë i mohon krimet gjatë luftës në Kosovë dhe në anën tjetër vetëm sa e rrit bashkëpunimin me Rusinë