Udhëheqësit e Bashkimit Evropian diskutuan propozimet e reja amerikane mbi një marrëveshje tregtare mes unionit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Diskutimet u bënë në një samit të zhvilluar në Bruksel. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nuk përjashtoi mundësinë që bisedimet për tarifat të dështojnë.
Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se BE-ja duhet të bëjë një marrëveshje tregtare “të shpejtë dhe të thjeshtë” me Shtetet e Bashkuara në vend të një marrëveshjeje “të ngadaltë dhe të ndërlikuar”, duke sugjeruar që evropianët të ndërtojnë një organizatë të re tregtare.
“Le të gjejmë shpejt një zgjidhje tani. Vura në dukje, ndër të tjera, industri specifike që kemi në Gjermani: industrinë kimike, farmaceutike, mekanike, çelikut, aluminit dhe automobilave. Aktualisht, të gjitha janë të ngarkuara me tarifa kaq të larta saqë kjo vë në rrezik kompanitë. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen vetë ngriti idenë nëse ne, si evropianë, duhet të iniciojmë një lloj të ri organizate tregtare për të zëvendësuar gradualisht atë që nuk e kemi më me Organizatën Botërore të Tregtisë”, tha Merz.
Zyrtarët francezë kanë argumentuar se Komisioni duhet të mbajë një qëndrim më të fortë. Blloku tashmë i nënshtrohet tarifave të importit të SHBA-së prej 50% për çelikun dhe aluminin e saj, 25% për makinat dhe pjesët e makinave, së bashku me tarifën prej 10% për shumicën e mallrave të tjera të BE-së që Trump ka kërcënuar se mund të rritet edhe me 50% nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Bashkimi Evropian ka rënë dakord, por ende nuk ka vendosur tarifa për 21 miliardë euro mallra amerikane dhe po debaton për një paketë të mëtejshme tarifash për deri në 95 miliardë euro për importet amerikane.
Ndër opsionet e BE-së është një tarifë mbi reklamat digjitale, e cila do të godiste gjigantët amerikanë si Google, Meta, Apple, X dhe Microsoft