Anëtari i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), Ledio Braho, ka komentuar zhvillimet lidhur me procesin e rinumërimit në qarkun e Tiranës, duke ngritur shqetësimin për tentativa për të diskredituar procesin nga brenda institucionit.
“Për aq kohë sa nuk ka pasur një trafikim masiv sa i përket kandidatëve apo subjekteve, besoj se askush nuk mund ta bëjë pis procesin e numërimit. Po flasim për një administrim zgjedhor që është bërë nga KZAZ-të dhe grupet e numërimit. Dhe tani po tentohet, përmes mënyrave të tjera, të bëhet pis procesi i rinumërimit këtu në KQZ, nëpërmjet numëruesve të KQZ-së apo edhe anëtarëve të KAS-it,” deklaroi Braho për mediat.
Duke komentuar shqetësimet për mundësinë e manipulimeve teknike gjatë hedhjes së të dhënave në sistem, Braho tha:
“Lista e Tiranës ka numër të konsiderueshëm kandidatësh, dhe mund të ndodhë që në momentin e hedhjes në sistem të ngatërrohet një rresht me një tjetër, duke sjellë një invers: një kandidati që ka një numër të caktuar votash mund t’i bëhet zero, dhe kandidatit tjetër t’i jepen votat e të parit. Kjo, në rastin më të mirë, është gabim njerëzor. Por nëse ky grup rinumërimi ka bërë të tilla inverse me qëllim, atëherë nuk jemi në kushtet e një gabimi, por të një trafikimi votash.”
Braho nënvizoi nevojën për të analizuar çdo rast me kujdes dhe për të ruajtur integritetin e procesit zgjedhor.