Kuvendi i kosoves 1024x573

Për herë të 35-të ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nga deputetët që ishin në sallë, 51 votuan për, 1 votë kundër dhe nuk pati asnjë abstenim.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se çdo ditë shkon në Kuvend me shpresën për zhbllokim të situatës.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj u shpreh i shqetësuar për situatën politike në vend dhe dështimet e njëpasnjëshme për ndërtimin e institucioneve të reja, pavarësisht fitores së partive në zgjedhje.

“Kjo është e habitshme çka po ndodh. Me u zgjedh, me kërku me bo vendin më mirë, e me bë tërë atë fushatë, me garu kush është më patriot, e me ta dhënë populli besimin, e mos me qenë në gjendje me u ul grupet politike me ndërtur qeveri, parlament e institucione – në kohën kur bota është trazuar, në krizë ekonomike të madhe” ka deklaruar Limaj.

Sipas tij,  situata aktuale kërkon reflektim të thellë, jo vetëm nga politika, por edhe nga qytetarët.

Gashi: Është përgjegjësi e Kurtit dhe partisë së tij që të konstituohet Kuvendi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe partinë e tij për mungesën e vullnetit politik për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.

Sipas tij, vendi ndodhet në një situatë të rrezikshme dhe zvarritja e këtij procesi është e papranueshme.

“Është përgjegjësi e Kurtit dhe partisë së tij që të konstituohet Kuvendi. Fatkeqësisht, është e turpshme çka po ndodh. Bota po kallet flakë dhe ne po shtyhemi mes veti se kush çfarë pozitë po merr”, deklaroi Gashi.

Para vazhdimit të seancës, ai paralajmëroi se pa një qeveri funksionale, Kosova përballet me rreziqe të paparashikueshme në një kontekst të tensionuar ndërkombëtar.

Mbledhja e radhës do të jetë më 23 qershor, në orën 11:00.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights