“Sot bëhen tetë muaj, duhet të jetë i madh shqetësimi juaj”, u tha gazetarëve avokati i ish-Presidentit të vendit Ilir Meta.
Sipas Kujtim Cakranit, Meta po mbahet në paraburgim pa asnjë provë nga ana e Prokurorisë së Posaçme dhe me urdhër politik.
“Për Zotin, nuk ka prova! Sot u fol aty analiza financiare, ç’lidhje ka Ilir Meta me ato analiza?! Prokurori foli për gjithçka tjetër, përpos për Metën. S’ka pasuri, të luajtshme apo të paluajtshme. Zoti Meta duhet të lirohet patjetër se po bën burg me urdhër politik”, tha ai para ambienteve të SPAK.
I pyetur për gjendjen e Metës, tha se është në formë perfekte dhe ushtron palestër.
“U dënua dhjetë ditë me urdhër të Ajatollahut, kryeministri Rama”, shtoi ai, duke theksuar se do të njihet me ato që i cilëson pretendime të Prokurorisë.
Pritet që vendimi për lehtësim ose jo të masës së sigurisë, të merret më 26 qershor, në orën 10:30.
Është zbuluar një rast tjetër korrupsioni që lidhet me ish-çiftin Meta-Kryemadhi. Bëhet fjalë për një kartë tjetër bankare, e cila dyshohet se është përdorur për blerje dhe shpenzime të dyshimta. Po sipas burimeve, kjo kartë bankare i është dhënë në dispozicion Kryemadhit dhe Metës nga një biznesmen. Në hetimet e mëparshme ishte zbuluar një kartë tjetër “American Express” që gjithashtu përdorej dhe mbahej nga i njëjti biznesmen.