Një gjykatë apeli në SHBA i ka dhënë të drejtë Donald Trump-it për të pasur kontroll mbi Gardën Kombëtare, pas padisë së ngritur nga guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom. Ky i fundit kundërshtoi përdorimin e trupave të Gardës për të shtypur protestat në Los Angeles.
Gjykata e Apelit të SHBA-së arriti në përfundimin se Trump ushtroi ligjërisht autoritetin e tij, duke shtuar se administrata përmbushi kërkesën për t’u koordinuar me guvernatorin Newsom. Edhe nëse nuk e bëri, sipas gjykatës, Newsom nuk kishte autoritet për të vënë veton ndaj urdhrit të presidentit.
“FITORE E MADHE në Gjykatën e Apelit! Gjyqtarët padyshim e kuptuan se Gavin Newscom është i paaftë dhe i papërgatitur, por kjo është shumë më e madhe se Gavin, sepse në të gjithë Shtetet e Bashkuara, nëse qytetet tona dhe njerëzit tanë kanë nevojë për mbrojtje, ne jemi ata që duhet t’ua japim nëse Policia Vendore nuk është në gjendje ta kryejë punën. Ky është një vendim i shkëlqyer për vendin tonë!” – shkroi Trump.
Newsom mund të kundërshtojë ende përdorimin e Gardës Kombëtare dhe të Marinës Amerikane. Në një postim në X pas vendimit, ai u zotua se do të vazhdojë sfidën.
“Presidenti nuk është mbret dhe nuk është mbi ligjin. Ne do të vazhdojmë përpara me sfidën tonë ndaj përdorimit të ushtarëve amerikanë nga Presidenti Trump kundër qytetarëve tanë,” deklaroi Newsom.
Vendimi i presidentit amerikan për të dërguar trupa në Los Angeles shkaktoi një debat të gjerë mbi përdorimin e ushtrisë në territorin amerikan dhe përshkallëzoi tensionet politike në qytetin e dytë më të populluar të vendit.