Image 450

Të paktën 15 persona kanë humbur jetën dhe 75 të tjerë janë plagosur nga një valë sulmesh ajrore ruse ndaj kryeqytetit ukrainas Kiev, kanë konfirmuar autoritetet vendase.

Sulmi, i cili ndodhi gjatë natës dhe zgjati mbi nëntë orë, është përshkruar si një nga më të rëndët që prej nisjes së agresionit të plotë rus mbi tre vite më parë. Banorët e kryeqytetit kaluan orë të tëra në strehimore nëntokësore, nga mesnata deri në orët e para të mëngjesit.

Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, njoftoi se Rusia lëshoi gjithsej 440 dronë dhe 32 raketa ndaj territorit ukrainas, ndërsa në Kiev u goditën 27 rajone të ndryshme të qytetit.

Një raketë balistike goditi një ndërtesë banimi nëntëkatëshe, duke shkaktuar viktima dhe dëme të konsiderueshme. Pamje nga vendngjarja tregojnë ndërtesa të shembura dhe qytetarë të bllokuar nën rrënoja. Deputetja ukrainase Lesia Vasylenko e përshkroi situatën në rrjetin X (ish-Twitter) si një “makth i vërtetë”.

Ekipet e shpëtimit vazhdojnë përpjekjet për të nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat. Sipas raportimeve, shpërthime të fuqishme tronditën qytetin, të shoqëruara nga të shtëna mitralozësh të forcave ajrore ukrainase që përpiqeshin të rrëzonin dronët.

Në mëngjesin e së martës, alarmet për sulm ajror u aktivizuan sërish, duke ndërprerë operacionet e shpëtimit dhe duke vështirësuar punën e ekipeve emergjente.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë bëri të ditur se forcat e saj kundërajrore kishin rrëzuar 147 dronë ukrainas gjatë natës, ndërsa nuk dha detaje për dëmet apo viktimat nga ana ruse.

Në javët e fundit, Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore kundër qyteteve ukrainase, duke përdorur taktika të bazuara në valë të mëdha dronësh dhe raketash që synojnë të mbingarkojnë mbrojtjen ajrore të Ukrainës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e cilësoi valën e fundit të sulmeve si “terrorizëm i pastër”. Ai akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se vazhdon luftën vetëm sepse “mundet ta përballojë financiarisht”.

“Është tragjike kur të fuqishmit e botës mbyllin sytë para kësaj. Dhimbjen duhet ta ndjejnë terroristët, jo njerëzit e zakonshëm e paqedashës,” deklaroi Zelensky.

Sulme me dronë u regjistruan edhe në qytetin jugor ukrainas Odesa, ku një person humbi jetën dhe të paktën 10 të tjerë mbetën të plagosur, sipas ministrit Klymenko.

Ndërkohë, Zelensky kishte planifikuar të takohej me Presidentin amerikan Donald Trump gjatë samitit të G7 në Kanada për të kërkuar mbështetje të mëtejshme ushtarake dhe strategjike. Por Trump ndërpreu vizitën për shkak të përshkallëzimit të krizës në Lindjen e Mesme një zhvillim që shihet si goditje për përpjekjet diplomatike të Ukrainës në këtë moment kritik.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights