Mbahet në Tiranë Ministeriali i Evropës Juglindore. Në fjalën e tij hapëse, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një objektiv rajonal, jo vetëm kombëtar.
“Përshpejtimi i integrimit ekonomik dhe hapave drejt Bashkimit Evropian janë prioritet. Bashkëpunimi ynë tanimë është më kuptimplotë dhe më harmonik me politikat e BE-së. Jemi veçanërisht krenarë për marrëveshjen rajonale roaming, korsitë e gjelbra dhe pesë marrëveshjet e lëvizshmërisë në kuadër të Procesit të Berlinit. Këto e bëjnë rajonin më tërheqës dhe më stabël.Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në rrugëtimin e vet transformues dhe besojmë që zgjerimi i BE-së nuk është vetëm politik, por strategjik për paqen. Suksesi i fqinjëve tanë është suksesi ynë! Ky është qëllim rajonal.”
Vuri theksin te tensionet në Lindjen e Mesme, duke thënë se paraqesin rrezik për destabilitet rajonal dhe me pasoja globale. Deklaroi se Shqipëria është në mbështetje të Izraelit, ndërsa bëri thirrje që Irani të ndalë aktivitetet bërthamore.
“Shqipëria rikonfirmon të drejtën e Izraelit për të ruajtur sigurinë e vet dhe qytetarët nga kërcënimet e mirëfillta dhe në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje Iranit të ndalë aktivitetet bërthamore dhe raketat balistike dhe të veprojë në përputhje të plotë me detyrimet e veta, në kuadër të drejtës ndërkombëtare, për mospërhapjen e armëve bërthamore. Përdorimi i tyre do të kishte pasoja katastrofike në rajon e përtej. Në këtë kontekst të brishtë, Shqipëria u bën thirrje të gjitha palëve të përpiqen maksimalisht në mënyrë diplomatike për uljen e tensioneve dhe zgjidhje të qëndrueshme politike”, tha Hasani.
Pas fjalës së Hasanit, pritet të mbahet turneu i radhës së folësve. Tema e diskutimit do të jetë “Rritja e Konkurrueshmërisë së Rajonit dhe Rritjes Gjithëpërfshirëse si Rrugë drejt Integrimit në BE për Pjesëmarrësit Aspirantë të SEECP-së”.