Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë rezultojnë ende të zhdukur pas përmbytjeve të papritra që goditën qytetin e San Antonios në Teksas, SHBA.
Stuhitë e fuqishme që goditën zonën të mërkurën dhe të enjten shkaktuan daljen nga rruga të dhjetëra automjeteve, duke përfunduar në përrenj dhe rrugë të përmbytura, sipas raportimeve të CBS News.
Departamenti i Zjarrfikësve të San Antonios njoftoi se është duke kërkuar të paktën katër persona që rezultojnë të zhdukur. Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të ndryshojë, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit pritet të zgjasin për ditë të tëra.
Në ndihmë janë angazhuar njësi të posaçme me qen nuhatës dhe ekipe të kërkim-shpëtimit nga i gjithë shteti.
Deri pasditen e së premtes, sipas faqes zyrtare të qytetit, janë kryer mbi 70 operacione shpëtimi në ujë. Katër persona të shpëtuar janë dërguar në spital me lëndime të lehta, raportoi CBS.
Kryetari i Bashkisë së San Antonios, Ron Nirenberg, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave.
“Zemrat tona janë me familjet e atyre që humbëm nga përmbytjet e kësaj jave dhe me ata që ende kërkojnë të afërmit e tyre”, shkroi ai në rrjetin X (ish-Twitter).
Ndërkohë, përfaqësuesi demokrat në Kongres, Joaquin Castro, e cilësoi situatën si një tragjedi.
“Lutjet e mia shkojnë për familjet dhe të afërmit e viktimave të përmbytjeve të kësaj jave,”