Seanca plenare e Kuvendit rifilloi me debate mes deputetëve të PS-së dhe opozitës, lidhur me përjashtimin e deputetëve të PD-së.
Nënkryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Anila Denaj kërkoi përjashtimin nga Kuvendi edhe të deputetit të PD-së, Sali Berisha.
Në fjalën e saj, Denaj tha se Sali Berisha duhet të kërkojë falje për diskriminimet gjinore.
“Sali Berisha, jo vetëm nuk shmang asnjë diskriminimin për shkak të gjinisë. Ne kemi bindjen se deputeti Sali Berisha nuk duhet lejuar të marrë pjesë në seancë nëse nuk kërkon falje publike subjekteve”, deklaroi ajo.
Kjo kërkesë u prit me revoltë nga deputetët demokratë në sallë që filluan t’i bien tavolinave.
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli në Kuvend në lidhje me çështjen e ish-zyrtari të FBI-së McGonigal
Ai tha se, “me asgjë, me asnjë akt, me asnjë banalitet nuk mund të sfumoni skandalin e tmerrshëm në të cilin jeni përfshirë. Këtu në parlament endet hija e McGonigal, i cili bashkëpunoi jo vetëm me Edi Ramën, por edhe me disa nga këta ministra e ministre. I cili mori përsipër si vrasës me pagesë të sulmojë opozitën, të shkatërrojë opozitën, i cili mori përsipër shumë e shumë veprime për të cilat kryetari juaj, një pjesë e juaj e mirë jeni dhe do të jeni në gjykim, në Shqipëri dhe SHBA. Për sa i përket zonjës! Zonjë, do të them një gjë unë ty: ty të duket të pëlqejnë ato që thotë Rama, por unë ato nuk i them kurrë, unë jam soj tjetër, edukatë tjetër, kështu që nuk kam si ta kuptoj unë reagimin tënd, përveç një dëshire që të dëgjosh nga goja ime ato që thotë kryetari yt edhe në këtë sallë parlamenti. Por ato nuk do t’i plotësoj ndonjëherë”.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla akuzoi kryetarin e PD-së, Sali Berisha, për gjuhë të rëndë të përdorur ndaj grave.
Nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se, duhet të mblidhet Aleanca e Grave dhe të vlerësojë gjuhën e përdorur nga Berisha.
“Vajzat deputete të opozitës t’i marrin dhe t’i lexojnë deklarimet e bëra se, në deklarimet e tyre, ndokush nga familjarët do i japë të drejtën për qëndrimin që sapo mbajtët, shkoni dhe i pyesni. Insinuata të paqena. Ne i thamë: nxirr videon. Dole ditën e premte dhe the: kam videon me lloj-lloj maskarallëqe. Po nxirre pra. Që kur sulmohet një vajzë, një grua, një deputete, a ministre ju të jeni të gjitha bashkë, dhe jo t’i mbani qiriun një të vdekuri. Kuvendi nuk mund të ndalet këtu për shqyrtimin e kësaj kërkese. Do ishte mirë që Aleanca e Grave të mblidhet nesër. Merrni dhe dëgjojeni dhe çojani familjeve tuaja. Nëse ju japin të drejtë, unë tërhiqem”, tha ai.
Pas debateve, deputetët e opozitës, kryesuar nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bllokuan foltoren e Kuvendit.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla kërkoi 5 minuta pushim të seancës plenare.

