Ditën e sotme, 11 qershor, pritet ekstradimi nga Dubai i dy të shumëkërkuarve nga drejtësia shqiptare.
Policia bën të ditur se pritet ekstradimi i Dashnor Dumani i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe i akuzuar nga GjKKO-ja, për vrasje dhe për vjedhje me armë.
Dashnor Dumani, vëllai i Nuredin Dumanit është një nga emrat më të njohur të botës së krimit në vend.
Bëhet të ditur se Dashnor Dumani ndër të tjera akuzohet dhe rezulton në disa dosje dhe një prej tyre është masakra e Bradasheshit, në 28 Dhjetor 2018, ku akuzohet se ka marrë pjesë bashkë me persona të tjerë në këtë vrasje. Një tjetër akuzë ngdaj tij është roli si shofer në ekzekutime qyq janë kryer me pagesë. Këto janë bërë të ditura nga dëshmia e Nuredin Dumanit në Gjykatën e Posaçme.
Tjetër akuzë ka të bëjë me eksportin dhe përdorimin e eksplozivëve dhe po ashtu edhe përfshirjen e grupeve kriminale të tjera që sipas Prokurorisë së Posaçme ka zbuluar se në 2024 ka komunikuar me vëllain sa i përket aktiviteteve kriminale dhe sigurimin e vendodhjes së makinerive të grupit Çopja.
I dyti që do të ekstradohet ditën e sotme, akuzohet nga Gjykata e Posaçme për pastrimin e parave të një grupi kriminal në Elbasan, konkretisht të grupit Çopja dhe bëhet fjalë për Armis Stafa i cili është arrestuar në 27 maj të këtij viti në Emiratet e Bashkuara Arabe me qëllim ekstradimin në vendin tonë.
“Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme, të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, në Shqipëri, të shtetasve të shumëkërkuar, pjesëtarë të organizatave kriminale: -D. D., i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe i akuzuar nga GjKKO-ja, për vrasje dhe për vjedhje me armë; -A. S., i akuzuar nga GjKKO-ja, se ka pastruar paratë e një grupi kriminal në Elbasan”, thuhet në njoftimin e policisë.