Agjencia e lajmeve Reuters ka mësuar nga burime ekskluzive se cilat janë kushtet e Presidentit rus Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Sipas Reuters, kushtet e Putinit përfshijnë një kërkesë me shkrim që duhet të bëjnë udhëheqësit perëndimorë ku të zotohen se nuk do të zgjerojnë NATO-n drejt Lindjes, si dhe të heqin sanksionet ndaj Rusisë.
Këto informacione i kanë bërë të ditura për Reuters 3 burime ruse që kanë dijeni mbi negociatat që po zhvillohen mes Rusisë dhe Ukrainës për t’i dhënë fund luftës.
“Putin është gati për paqe, por jo me çdo çmim”, tha një burim i lartë rus për Reuters.
Sipas këtyre zërave, Presidenti Putin kërkon që NATO të mos anëtarësojë Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, si dhe republika të tjera ish-sovjetike.
Rusia dëshiron gjithashtu që Ukraina të jetë neutrale, të hiqen sanksionet e Perëndimit dhe të zgjidhet çështja e aseteve sovrane ruse që janë “ngrirë” nga vendet Perëndimore.
Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë vazhdimisht se dëshiron që t’i japë fund konfliktit ushtarak në mes të Europës mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe ka treguar zhgënjim ditët e fundit ndaj Presidentit Putin, duke e paralajmëruar se “po luan me zjarrin”.