Image 228 1024x576

Një dron rus goditi një autobus, duke vrarë 9 persona dhe plagosur 4 të tjerë në rajonin e Sumy-t. Sulmi ndodhi pas zhvillimit të bisedimeve të para të drejtpërdrejta për paqe mes Moskës dhe Kievit.

“Ky nuk është thjesht një tjetër bombardim është një krim cinik lufte,” thuhet në një deklaratë të Policisë Kombëtare të Ukrainës, publikuar në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Agjencia shtetërore e lajmeve ruse, TASS, raportoi – duke cituar një deklaratë nga Ministria e Mbrojtjes – se forcat ruse goditën me dronë një zonë ku ndodheshin pajisje ushtarake ukrainase në rajonin e Sumy-t. Policia e Ukrainës publikoi foto dhe video të një furgoni pasagjerësh me ngjyrë blu të errët, pothuajse të shkatërruar.

Takimi i zyrtarëve rusë dhe ukrainas, i zhvilluar në Turqi të premten, nuk arriti të ndërmjetësonte një armëpushim të përkohshëm. Presidenti rus Vladimir Putin refuzoi kërkesën e homologut ukrainas Volodymyr Zelenskyy për një takim personal dhe në vend të tij dërgoi një ekip teknokratësh. Sipas mediave ndërkombëtare, përfaqësuesit rusë nuk ishin të gatshëm të diskutonin detajet teknike të një armëpushimi.

Të dyja palët ranë dakord të shkëmbenin nga 1,000 të burgosur lufte secila, shkëmbimi më i madh deri më tani gjatë këtij konflikti. Megjithatë, Ukraina, e mbështetur nga aleatët e saj perëndimorë, ka kërkuar shtimin e presionit ndërkombëtar ndaj Rusisë.

“Ukraina është e gatshme të ndërmarrë hapat më të shpejtë të mundshëm për të sjellë paqe të vërtetë, dhe është thelbësore që bota të mbajë një qëndrim të fortë,” tha Zelensky. Ai bëri thirrje për vendosjen e sanksioneve të ashpra ndaj Rusisë në rast të refuzimit të një armëpushimi të plotë dhe pa kushte.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, njoftoi se raundi i ardhshëm i sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë do të synojë bankat, flotën në hije dhe gazsjellësin Nord Stream. BE-ja po përgatitet të forcojë masat për të detyruar presidentin Putin të nënshkruajë një armëpushim 30-ditor, përmes sanksioneve që do të godasin sektorët e energjisë dhe të financave.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights