Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale kanë finalizuar megaoperacionin antikanabis “Krateri”.
Gjatë kontrollit masiv të territorit, me mbështetjen e inteligjencës informative, u zbuluan 27 sera brenda të cilave ishin kultivuar në kubikë, rreth 8 000 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, gati për t’u shpërndarë, me qëllim kultivimin e tyre në tokë.
Policia informon se, në kuadër të këtij operacioni u vu në pranga një 52-vjeçar, i dyshuar si organizatori i kësaj veprimtarie kriminale.
Në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi 3 armë gjahu, municion luftarak dhe 5 armë të ftohta (thika) që i mbante pa leje.
Gjithashtu janë proceduar penalisht, për shpërdorim detyre, 3 punonjës të bashkisë Malësi e Madhe (Drejtori i Shërbimit Pyjor, specialisti i Ujësjellësit dhe hidrauliku i Ujësjellësit).
Grupi hetimor, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ka sekuestruar prova të vlefshme që do t’i shërbejnë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.
Gjithashtu, vijon puna në vendngjarje me qëllim përcaktimin e saktë të numrit të fidanëve, sekuestrimin e një sasie fidanësh në cilësinë e provës materiale, asgjësimin e pjesës tjetër të fidanëve dhe asgjësimin e bazës materiale që ka shërbyer për kultivimin e fidanëve narkotikë në kubikë, proces i cili do të pasqyrohet përmes pamjeve filmike dhe fotografike.
Në vijim të veprimeve hetimore, është arrestuar shtetasi N. D. alias E. V., 52 vjeç, banues në Bajzë, Malësi e Madhe, si organizator i dyshuar i kësaj veprimtarie kriminale dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Gj. Gj., R. Gj., 41 vjeç, me detyrë specialist i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe (i cili mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë) dhe A. H., 36 vjeç, me detyrë hidraulik i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe (i cili mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë).
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe dhe ato të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijojnë veprimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për shtetasin N. D., për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive“ dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, ndërsa për shtetasit Gj. Gj., R. Gj. dhe A. H., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Policia e Shkodrës iu bën thirrje fermerëve dhe banorëve të zonave rurale, që mos të bien pre e individëve apo grupeve kriminale që merren me kultivimin e bimëve narkotike, pasi Policia e Shkodrës është shumë e vendosur për të goditur me forcën e ligjit, cilindo që tenton të kryejë këtë veprimtari kriminale.