Nuredin dumani1 1

Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve në çështjen e njohur si “Plumbi i Artë” ka sjellë përplasje të reja mes Petrit Qolit dhe Nuredin Dumanit. Qoli, një prej të pandehurve në këtë proces, ka drejtuar akuza të forta ndaj Dumanit, duke e cilësuar atë si personin kryesor përgjegjës për ngjarjet e rënda që po shqyrton drejtësia.

Gjatë deklaratës së tij, Qoli u shpreh i zhgënjyer për situatën e tij, ndërsa theksoi se Dumani, i njohur si një vrasës me pagesë, vijon të ketë një trajtim më të favorshëm. “Si çdo shqiptar, edhe ata të diasporës, jam i lumtur për SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme. Por ndërkohë që ne jemi këtu në burg, ai shijon jetën, pi Coca-Cola, shkon në palestër dhe argëtohet me femra. Ndërsa unë kam humbur 40 kilogramë dhe jam këtu pa asnjë faj,” deklaroi Qoli.

Dumani, i cili nuk ishte i pranishëm në seancë për shkak të problemeve shëndetësore, u përmend disa herë gjatë dëshmisë së Qolit. Ky i fundit nuk e fshehu mllefin ndaj tij, duke pretenduar se, nëse do të vepronte si ai, mund të kishte përfituar miliona euro nga grupet kriminale dhe një status të veçantë.

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme ka vendosur të pezullojë afatin e paraburgimit për të gjithë të akuzuarit deri në seancën e radhës, e cila është caktuar më 4 mars. Procesi ndaj të dyshuarve të përfshirë në dosjen “Plumbi i Artë” vijon të tërheqë vëmendjen e opinionit publik, ndërsa SPAK dhe GJKKO mbeten në fokus për mënyrën se si do të menaxhojnë këtë çështje të ndërlikuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights