Bashkimi Europian ka bërë thirrje ndaj Qeverisë së Kosovës që të mos vijojë me mbylljen e qendrave serbe që operojnë ilegalisht në veri të vendit, duke kërkuar që çështja e statusit të tyre të adresohet përmes dialogut në Bruksel.
Reagimi i BE-së vjen pas operacionit të Policisë së Kosovës, e cila ndërhyri për të mbyllur katër zyra ilegale serbe në Mitrovicën e Veriut. Sipas autoriteteve kosovare, këto qendra dyshohet se ishin përdorur për të ndikuar dhe shantazhuar votuesit serbë gjatë zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt. Institucionet vendase kanë deklaruar se në ambientet e mbyllura janë konstatuar veprime të paligjshme që lidhen me procesin zgjedhor.
Në deklaratën e saj, BE-ja thekson se është në dijeni të operacionit të Policisë së Kosovës dhe se misioni i saj për sundimin e ligjit, EULEX, po monitoron situatën. Brukseli ka kërkuar më shumë informacione mbi rastin për të kuptuar rrethanat e ndërhyrjes.
Përfaqësuesit e BE-së theksojnë se, përpara se të ndërmerren hapa të tillë, duhet të sigurohet një alternativë për shërbimet sociale që këto qendra ofronin, si asistenca dhe ndihma për personat në nevojë. Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit mbetet, sipas tyre, mënyra e vetme për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.