Kryeministri Edi Rama ka dalë kundër planeve të SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme për ngritjen e grupeve hetimore që do të monitorojnë krimet e mundshme zgjedhore gjatë fushatës dhe ditës së votimit. Ai e ka cilësuar këtë qasje si një rrezik për demokracinë dhe ka paralajmëruar se survejimi i subjekteve politike nuk mund të pranohet në një proces elektoral.
Gjatë fjalës së tij, Rama hodhi poshtë çdo mundësi për përdorimin e metodave të ish-Sigurimit të Shtetit në hetimet e SPAK, duke kërkuar që drejtësia të mbetet brenda kufijve kushtetues.
Në një deklaratë surprizë, ai njoftoi se do të largohet nga politika aktive në vitin 2030, pasi të ketë arritur objektivin për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Synimi im është që deri në atë vit, Shqipëria të jetë pjesë e BE-së dhe më pas, do t’i hap rrugë një brezi të ri në politikë,” u shpreh ai.
Kryeministri gjithashtu u shfaq i sigurt për një mandat të katërt qeverisës, duke theksuar se në zgjedhjet e 11 majit, beson në një fitore të qartë për Partinë Socialiste.
Sa i përket politikave sociale, Rama premtoi rritje graduale të pensioneve deri në vitin 2030, si pjesë e strategjisë së qeverisë për përmirësimin e jetës së pensionistëve.