Sali berisha 26 1024x573

Kryedemokrati Sali Berisha ka akuzuar Kryeministrin Rama pasi sipas tij, po censuron një skandal që sipas tij ka të bëjë me abuzimin me fondet e taksapaguesve amerikanë nga bashkëshortja e tij, Linda Rama. Lidhur me abuzimin për këto fonde, kreu i demokratëve ka hedhur akuza dhe ndaj Delina Ficos, të cilën e ka quajtur “Lubia numër 2”.

Sali Berisha: Narkoqeveria e Edi Ramës ka vendosur censurën më të plotë, po mbulon me terrin më të zi një nga skandalet më të mëdha ndërkombëtare të rrethit të tij familjar, siç është abuzimi me miliona e miliona euro dhe dollarë të taksapaguesve amerikanë nga ish-bashkëshortja e Edi Ramës dhe bashkëshortja e tij aktuale. Auditet e para në SHBA faktojnë se paratë e taksapaguesve amerikanë u përdorën për të pasuruar elitat e korruptuara të ekstremit të majtë në vendet e tjera të botës.

Në rast se ka një rast më klasik të abuzimit ekstrem me paratë e taksapaguesve të SHBA, në Shqipëri në krye të listës qëndrojnë dy zonja, Linda Rama, bashkëshortja aktuale e Kryeministrit, e cila në dhjetëra e dhjetëra projekte të saj, me fondacionin Shqipëria e Hapur, me UNDP-në dhe të tjera, ka përfituar shuma marramendëse në kundërshtime flagrante me ligjet themelore të antikorrupsionit. Ajo përbën një rast unik në planet, kur bashkëshortja e kryeministrit, paguhet me paratë e taksapaguesve të vendeve të tjera dhe kryesisht të SHBA për të bërë raporte për veprimtarinë e qeverisë së burrit të vet.

Ky është një rast kulmor flagrance që fakton se gjer ku arrin makutëria e enturazhit të Edi Ramës dhe se për pasurimin e tij familjar, Edi Rama nuk respekton asnjë ligj, asnjë parim kombëtar as ndërkombëtar. Edi Rama ishte i detyruar të përjashtonte bashkëshorten e tij nga çdo lloj studimi që lidhej me qeverinë e tij. Por është bërë e kundërta, jam unë që kohë më parë kam denoncuar faktin e vizitave, e shoqëruar nga ministra, dhe i kam denoncuar me emër dhe mbiemër, ku Linda Rama debatonte dhe gjente tema për projektet e studimit të saj në agjencitë dhe zyrat e qeverisë. Pra, përdoreshin ato. Aktivitet absolutisht flagrant i shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorimit të fondeve.

Por në hierarkinë e shpërdorimit të fondeve të taksapaguesve amerikanë dhe pasurimit të elitave të ekstremit të majtë në vende të ndryshme të botës, Shqipëria nxin sterrë edhe me figurën e lubisë numër 2, e cila quhet Delina Fico. Delina Fico, bashkëjetuesja aktuale e ministrit Çuçi, dhe ish-bashkëjetuesja e Edi Ramës, ka marrë shuma përrallore me projekte antikushtuese dhe antiligjore nga USAID-i për pasurimin e saj dhe kapjen e sistemit të drejtësisë kryekëput nga Rama dhe enturazhi i tij. Lubia numër 2 apo Delina Fico me këshilltarët ligjorë që kompania e saj në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, ka afruar Gjykatës së Lartë dhe sistemit të drejtësisë, ka gllabëruar nga fondet e USAID-it dhjetë milionë Euro.

Dhe për vete rroga dy herë më e madhe se sa e ambasadorit të SHBA në Shqipëri. Unë e kuptoj se ata që kanë vendosur këtë censurë të tmerrshme mbi vjedhjet, shpërdorimin dhe abuzimin e fondeve nga gratë e narkoqeverisë, do shpërndajnë lajmin se unë po merrem me gratë e tyre. Jo, unë nuk po merrem me asgjë tjetër veçse me fondet e taksapaguesve amerikanë që janë shpërdoruar në mënyrë të tmerrshme dhe përgjegjësi direkte kanë Edi Rama, Blendi Çuçi. Po kështu Velica. Velica me Harabelin e saj merr dhjetëra mijëra euro nga ambasada e SHBA dhe dhjetëra mijëra euro nga BE për ngjarje që nuk i bën fare. Pra, ata të cilët i angazhojnë gratë e tyre për të vjedhur dhe shpërdoruar fondet, ata janë hajdutët më amoralë mbi tokë.

Gjatë fjalës së tij në një deklaratë për mediat, kryedemokrati Berisha i ka bërë thirrje FBI-së që të hetojë me përparësi në Shqipëri për të nxjerrë sipas tij, shpërdorimet e mëdha në nivelin më të lartë qeveritar me paratë e taksapaguesve amerikanë.

Sali Berisha: Këtu prokurori nuk ka se është e tëra nën kontroll politik. Sepse një prokurori e vërtetë, e bazuar dhe e varur nga ligji, me urgjencë do kishte hetuar këto akte të rënda. Po nuk hetohen, përkundrazi këto mbrohen nga Edi Rama sikundër mbrohet çdo vjedhje e lidhur me të. Ndaj dhe i bëj thirrje FBI-së të ndërmarrë një hetim me përparësi në Shqipëri për të nxjerrë të gjitha shpërdorimet e mëdha në nivelin më të lartë qeveritar të Shqipërisë me paratë e taksapaguesve amerikanë.

Ftoj Edi Ramën, që ka shkallmuar siç e shihni ju dhe nga mëngjesi gjer në darkë, në një llogare të pakontrolluar, flet përçart korr e mos lidh, t’u thotë shqiptarëve për këto akuza të rënda kombëtare dhe ndërkombëtare, që e nxijnë imazhin e Shqipërisë. Ka thënë ai një fjalë të vetme për këto? Asnjë fjalë… Garantoj qytetarët shqiptarë se një audit i plotë me ndihmën e ekspertëve më të mirë shqiptarë dhe amerikanë do bëhet lidhur me të gjitha këto abuzime dhe se përgjegjësit do marrin ndëshkimin më të merituar ligjor.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights