640 0 1739872772xthacijpg 821

Ditën e sotme në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar seanca ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në këtë seancë ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ishte i pranishëm për arsye shëndetësore.

Këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, i cili tha se i është thënë që Thaçi nuk është mirë me shëndet dhe se duhej të takohej me një mjek, por nuk ishte në dijeni se nuk do të merrte pjesë.

“I vetmi komunikim ishte se nuk ka qenë mirë nga shëndeti, dhe duhet të fliste me një mjek. Komunikoni me të nëse jep leje që të vazhdojmë pa praninë e tij”, tha gjyqtari Smith.

Pas komunikimit me të, avokati tregoi se Thaçi ka dhënë leje për ta vazhduar seancën.

“Më thanë se Thaçi dhe mjeku kanë nënshkruar dokumentin për ta vazhduar gjykimin”, tha Luka Misetiç.

Pas kësaj, gjyqtari ka urdhëruar që seanca të vazhdojë me dyer të mbyllura. Ndërkohë në sallën e gjyqit ishte i pranishëm Rexhep Selimi, i cili u shfaq me një kollare ngjyrë blu, e cila mbante motive shtetërore për nder të përvjetorit të 17-të të pavarësisë së Kosovës, ndërsa Jakup Kransniqi dhe Kadri Veseli mbanin kollare të kuqe.

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi po gjykohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights