Në përvjetorin e 17-të të shpalljes së Pavarësisë, Kosova ka marrë mesazhe urimi nga udhëheqës europianë dhe diplomatë të lartë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Përveç urimeve, liderët botërorë kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike dhe zhvillimin e saj si një shtet demokratik dhe i qëndrueshëm.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, duke përcjellë urimet e tij për qytetarët e Kosovës, ka theksuar mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për shtetësinë dhe zhvillimin e vendit. Ai ka nënvizuar rëndësinë e paqes, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik si elemente kyçe për të ardhmen e Kosovës.
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ka rikujtuar se Gjermania ishte një nga vendet e para që njohu Kosovën në shkurt të vitit 2008 dhe se mbështetja e saj për njohjen ndërkombëtare dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian mbetet e palëkundur.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, në një letër dërguar homologes së tij, Vjosa Osmani, ka theksuar se Franca mbetet një aleate e përkushtuar e Kosovës dhe do të vazhdojë të mbështesë stabilitetin dhe zhvillimin e saj. Ai gjithashtu ka inkurajuar Kosovën që të bëjë përparime në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Nga Italia, presidenti Sergio Mattarella ka shprehur përkushtimin e vendit të tij për marrëdhëniet mes dy vendeve, duke nënvizuar mbështetjen e Italisë për stabilitetin dhe integrimin evropian të Kosovës.
Urimet dhe mesazhet e liderëve ndërkombëtarë tregojnë për rëndësinë që Kosova vazhdon të ketë në arenën ndërkombëtare dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ajo gëzon në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike.