Asocacioni i komunave me shumicë serbe mbetet detyrim për Kosovën, sipas ish-ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier. Në një deklaratë për Atlantic Council, ai u shpreh se emisari i ri i Bashkimit Europian, Peter Sorensen, duhet të angazhohet që Kosova dhe Serbia të përmbushin zotimet e bëra
. “Republika e Kosovës bëri një zotim për këtë në vitin 2013. Ai zotim qëndron ende. Ka edhe zotime që ka marrë edhe Serbia, gjëra që duhet të bëjë, të cilat gjithashtu duhet të zbatohen. Ky zotim në lidhje me Asociacionin u përsërit fuqishëm në kontekstin e Marrëveshjes Bazike të 2023-ës dhe Aneksit të Zbatimit të saj”, tha ai.
Hovenier theksoi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të të gjitha komuniteteve në Kosovë, veçanërisht pakicës serbe.
“Aty ku kemi ngecur ka qenë disa herë në çështjet shumë të vështira të ndjeshme se si të përmbushen më së miri premtimet e bëra dhe vizioni i vendit në kohën e pavarësisë për një vend multietnik dhe në të cilin do të kishte disa mbrojtje të veçanta për komunitetet joshumicë, veçanërisht komunitetin serb, duke pasur parasysh historinë e ndërlikuar dhe të vështirë”, shtoi ish diplomati amerikan në Prishtinë.